Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak apo kërkesë për mbështetje nga ana e Drejtorisë së Burgjeve.
Në reagimin e saj, Policia sqaron se për shoqërimin e të paraburgosurit nga burgu drejt spitalit nuk është kërkuar asistencë me forca rendi, ndonëse bëhet fjalë për një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Policia e Shtetit merr masa dhe ofron mbështetje vetëm në rastet kur njoftohet zyrtarisht nga institucionet përkatëse. Për rastin konkret të shoqërimit të Altin Ndocit drejt Spitalit të Durrësit, nuk kemi pasur asnjë njoftim dhe nuk na është kërkuar ndihmë,” thuhet në deklaratë.
Altin Ndoci ndodhej prej dy ditësh i shtruar në repartin e Infektivit të Spitalit të Durrësit, ku po trajtohej për probleme shëndetësore. Gjatë qëndrimit në spital, ai ka përfituar nga momenti për t’u arratisur, pavarësisht shoqërimit nga efektivë të Policisë së Burgjeve.
Sipas të dhënave paraprake, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe më pas është larguar nga kati i tretë i godinës përmes shkallëve. Një nga efektivët ka qëlluar në ajër në përpjekje për ta ndaluar, por i arratisuri ka arritur të largohet dhe dyshohet se është larguar me një automjet tip “Audi A7” që e priste në parkimin e spitalit.
Arratisja e tij ka ngritur pikëpyetje serioze mbi protokollet e sigurisë dhe bashkëpunimin institucional, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
