Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtorë Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkën për veprat penale të korrupsionit zgjedhor aktiv dhe pasiv.
Vendimi u dha më 13 janar, pas një procesi të zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Pandeli Bozha u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1 vit dhe u konvertua në shërbim prove, duke u pezulluar ekzekutimi i burgimit.
Ndërkohë, Vladimir Lushka u shpall fajtor për korrupsion pasiv në zgjedhje, por sipas vendimit të GJKKO-së, dënimi ndaj tij u shua, pa u përcaktuar masë ndëshkuese.
Gjykata vendosi gjithashtu sekuestrimin e provës materiale, një kartmonedhë prej 2 mijë lekësh, e cila dyshohej se do të përdorej për blerje vote, duke e kaluar atë në favor të shtetit.
