Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Belind Këlliçit, pas deklaratës së këtij të fundit se thirrja e tij në SPAK lidhej me një “çështje periferike”.
Murrizi e cilësoi këtë deklaratë si shprehje të një “psikoze komuniste”, duke theksuar se nuk mund të quhet periferike një çështje në të cilën, sipas tij, Këlliçi ka qenë i përfshirë dhe në dijeni.
“Nuk e di sa e vërtetë është se ka qenë për atë çështje. Keni ndonjë komunikatë zyrtare nga SPAK? Të gjithë këta thonë ‘çështje periferike’, sepse e kanë nga psikoza e fëlliqur e komunizmit, që bllokqenër pjesën tjetër e quajnë periferike. Si mund të jetë çështje periferike kur ke qenë në dijeni dhe ke qenë pjesë e saj?”, u shpreh Murrizi.
Më tej, ish-deputeti deklaroi se mes Gazment Bardhit dhe Belind Këlliçit ekzistojnë disa padi të ndërsjella në SPAK, ndonëse, sipas tij, ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme për këto çështje.
“Kanë disa padi mes njëri-tjetrit, por nuk dihet ende sepse SPAK-u nuk ka dhënë asnjë deklaratë”, përfundoi Murrizi.
