Përmbytjet në fshatrat e Kuçovës, Maliqi: 20 shtëpi të përmbytura, dëmshpërbleni banorët

Data

Përmbytjet e fundit në Kuçovë dhe fshatrat përreth kanë shkaktuar dëme të rënda në banesa dhe tokë bujqësore. Ish-kandidati për deputet Lefter Maliqi ka denoncuar publikisht mungesën e ndihmës nga qeveria dhe institucionet lokale për banorët e prekur, duke kërkuar dëmshpërblim të plotë për dëmet e shkaktuara.

Sipas tij, një nga zonat më të goditura është fshati Salcë Kozare, ku janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore dhe mbi 20 banesa. Maliqi thekson se dëmet përfshijnë gjithashtu sera, agrume, shpendë dhe bagëti, duke e rënduar ndjeshëm situatën ekonomike të familjeve të zonës.

Në deklaratën e tij, ai akuzon pushtetin lokal dhe qendror për neglizhencë, abuzim dhe mungesë paralajmërimi për hapjen e portave të hidrocentralit të Banjës, çka sipas tij nuk u dha banorëve kohë të merrnin masa për mbrojtjen e pronës dhe evakuimin e bagëtive.

Maliqi shton se në shumë zona të Kuçovës dhe Dimalit, kanalet kulluese nuk janë pastruar prej vitesh, duke përkeqësuar situatën e përmbytjeve. Ai denoncon gjithashtu ndotjen e tokave bujqësore nga mbetjet e landfillit të Fermës Partizani, të cilat janë shpërndarë nga uji i lumit, si dhe përhapjen e ndotjes nga puset e naftës në zonë.

Sipas të dhënave të bëra publike prej tij, vetëm në Salcë Kozare janë përmbytur mbi 100 hektarë tokë, rreth 10 hektarë sera, 5 hektarë agrume dhe rreth 20 banesa, ndërsa dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në fshatra të tjerë si Kozare, Ferras, Fermë Partizani, Tapi dhe Rreth Tapi.

Ai kërkon dëmshpërblim 100% për të gjithë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore dhe bën thirrje për reagim të menjëhershëm institucional, duke paralajmëruar se mungesa e zgjidhjes do të çojë në përshkallëzim të revoltës qytetare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related