Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nderim të dëshmorëve të rënë në krye ose për shkak të detyrës.
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me Zëvendësministrin e Brendshëm Xhemal Qefalia dhe familjarë të dëshmorëve, vendosën kurora me lule pranë memorialit përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë, u shpreh mirënjohje dhe respekt i thellë për veprën dhe sakrificën e dëshmorëve, duke u theksuar se gjaku i tyre është pjesë e themeleve të shtetit dhe simbol i përkushtimit për rendin dhe sigurinë publike.
“Sakrifica sublime dhe emri i secilit prej ish-kolegëve tanë, të rënë gjatë përballjes me krimin, janë arsye të forta pse Policia e Shtetit është sot më e angazhuar se kurrë për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e çdo qytetari”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemniteti, duke rikujtuar misionin dhe përgjegjësinë e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve dhe vendit.
