Nuk ka të ndalur presioni i drejtësisë mbi kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet pasurore ndaj ish-kryeministrit, duke futur në fokus një nga ngjarjet më të bujshme politike të viteve të fundit: Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 në stadiumin “Air Albania”, i njohur si momenti kulmor i lëvizjes së quajtur “Foltore”.
Në kuadër të këtij hetimi, për rreth 90 minuta është marrë në pyetje në ambientet e SPAK deputeti demokrat Belind Këlliçi, një nga figurat kryesore organizatore të Kuvendit. Edhe pse pas daljes nga Prokuroria ai u përpoq ta minimizonte rëndësinë e thirrjes, burime pranë hetimit bëjnë me dije se pyetjet kanë qenë të detajuara dhe të fokusuara kryesisht në financimin real të aktivitetit.
Prapaskenat e hetimit
SPAK po heton burimin e fondeve që u përdorën për organizimin e Kuvendit të 11 dhjetorit, vlerën reale të shpenzimeve dhe nëse këto fonde janë deklaruar në përputhje me ligjin. Hetimi është pjesë e procedimit pasuror ndaj Berishës dhe familjarëve të tij dhe lidhet drejtpërdrejt me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, për të cilën Berisha dhe dhëndri i tij janë tashmë të pandehur.
Sipas informacioneve, shpenzimet e Kuvendit dyshohet se kapin shifra shumë të larta. Në listën e kostove përfshihen qiraja e stadiumit, skenografia e porositur jashtë vendit, ekranet LED, reklamat televizive, materialet propagandistike, organizimi logjistik dhe transmetimet mediatike. Vetëm vënia në dispozicion e stadiumit raportohet se ka kushtuar rreth 1 milion lekë.
Pamjet e transmetuara në media treguan një organizim luksoz, me struktura të mëdha skenike dhe pajisje moderne, larg standardeve financiare të zakonshme për një forcë politike në opozitë. Kuvendi erdhi pas dhjetëra takimeve të zhvilluara në të gjithë vendin për disa muaj rresht, shoqëruar me shpenzime të konsiderueshme për udhëtime, salla dhe organizim, për të cilat nuk është depozituar asnjë raport financiar zyrtar.
Ironikisht, ky aksion politik u zhvillua pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar dhe shpalljes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. Tashmë, SPAK duket i vendosur të zbardhë çdo detaj financiar të kësaj lëvizjeje, ndërsa pas marrjes në pyetje të Këlliçit, nuk përjashtohet që edhe persona të tjerë të thirren në vijim.
Hetimi po hyn në një fazë kyçe dhe për Sali Berishën, data 11 dhjetor 2021 rrezikon të mos mbetet vetëm një moment politik, por edhe një provë e rëndë përballë drejtësisë.
