Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj ka bërë deklarata të forta, duke paralajmëruar se si Sali Berisha ashtu edhe Edi Rama mund të përballen me arrestime nga SPAK në një të ardhme të afërt. I ftuar në emisionin “Dekalog”, Alibeaj tha se drejtësia ka hyrë në fazën përfundimtare të goditjes së sistemit politik të kapur prej dy figurave kryesore të tranzicionit shqiptar.
Sipas tij, Berisha është tashmë nën goditje të drejtpërdrejtë penale dhe politikisht i konsumuar, ndërsa një valë hetimesh ndaj figurave të larta të qeverisë po sinjalizon se radha po afrohet edhe për kryeministrin Edi Rama. Alibeaj theksoi se drejtësia po vepron aty ku politika ka dështuar dhe se mjetet juridike po zëvendësojnë përmbysjen që nuk u arrit dot me votë.
Ai deklaroi se viti 2026 pritet të jetë momenti final për rrëzimin e këtij modeli pushteti, duke akuzuar Ramën dhe Berishën për një pakt të heshtur politik dhe për bashkëpunim kundër reformës në drejtësi. Sipas Alibeajt, prova më e fortë e këtij pazari është Kodi Zgjedhor, i cili sipas tij u përdor për të garantuar mbijetesën e dy palëve.
Alibeaj u shpreh se nuk beson në vakum politik dhe se pas largimit të këtyre dy figurave do të lindë një realitet i ri, i imponuar nga shoqëria dhe drejtësia. Ai theksoi se gjithnjë e më shumë qytetarë po i braktisin si Ramën ashtu edhe Berishën, duke kërkuar alternativa të reja politike.
Në fund, Alibeaj tha se drejtësia po ushtron një presion të fortë dhe se zhvillimet e ditëve dhe muajve në vijim mund të tronditin thellë skenën politike shqiptare, duke e quajtur vitin 2026 “vitin e mbylljes së epokës së monizmit me dy koka”.
