U zhvillua sot seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për atentatin e bujshëm të 1 nëntorit 2019 në autostradën Durrës–Tiranë, pranë Sukthit, te mbikalimi i Shkozetit, ku u qëllua ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, sot deputet i Partisë Demokratike, mikut të tij Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”, si dhe shoferit të magjistratit, Andi Maloku.
Nga atentati humbi jetën Andi Maloku, ndërsa Ndoja dhe Laho mbetën të plagosur. Për këtë ngjarje SPAK ka marrë nën akuzë një grup të strukturuar kriminal. Seanca e sotme u shoqërua me tensione, përplasje verbale dhe kundërshtime të forta mbi dëshmitë.
Dëshmia e Erigen Toskës
Dëshmitari Erigen Toska deklaroi se në vitin 2019 kishte në pronësi një automjet “Mercedes Benz” ngjyrë gri, i cili i ishte vjedhur nga poshtë banesës. Ai tha se kishte bërë kallëzim në komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe se çelësat i kishte dorëzuar policisë. Më pas, sipas tij, ishte kontaktuar nga autoritetet disa muaj më vonë për çështjen e automjetit.
Gjatë seancës, Plarent Dervishaj kundërshtoi faktin që Toska nuk ishte thirrur si dëshmitar edhe në procese të tjera të lidhura me ngjarjen, duke sjellë debat në sallë.
Deklarimet e Ramazan Rrajës
I pandehuri Ramazan Rraja mohoi çdo përfshirje në atentat, duke deklaruar se nuk ka pasur konflikte dhe se nuk i njeh viktimat, përveçse nga mediat. Ai tha se nuk ka përdorur aplikacione të enkriptuara, nuk ka pasur detyrime financiare ndaj Plarent Dervishajt dhe se në ditën e atentatit ka qenë jashtë Shqipërisë.
I pyetur nga prokurori për kontakte mes familjeve, Rraja u shpreh se kishte dëgjuar për to vetëm nga mediat.
Refuzime për dëshmi dhe shtyrja e seancës
Të bashkëpandehurit Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani refuzuan të japin dëshmi në seancën e sotme. Ndërkohë, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe deklaruan se nuk japin pëlqimin për t’u pyetur në këtë fazë.
Dervishaj kërkoi shtyrjen e seancës për shkak se duhet të zgjedhë një avokat të ri, ndërsa avokati aktual dha dorëheqjen, duke pretenduar se është paragjykuar gjatë procesit.
Në përfundim, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për një datë tjetër, deri në zgjidhjen e çështjes së mbrojtjes ligjore të të pandehurve.
