Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qëllimi kryesor i opozitës shqiptare është rrëzimi i asaj që ai e cilësoi si “regjim të korruptuar”, duke theksuar se opozita gëzon mbështetje të gjerë nga faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se strategjia e opozitës është e qartë dhe e pandryshueshme.
“Strategjia e opozitës është rrëzimi i këtij regjimi. Opozita ka besim të madh se do të ringrihet dhe do ta rrëzojë këtë regjim”, tha ai.
I pyetur për bashkëpunimin me forcat e tjera opozitare dhe qëndrimin e disa krerëve të partive jashtë këtij fronti, Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët politikë që synojnë largimin e qeverisë aktuale.
“Do të bashkëveprojmë dhe bashkëpunojmë me shumë faktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare, që duan ta largojnë një minutë e më parë këtë të keqe kriminale”, u shpreh ai.
Sa i përket mbështetjes ndërkombëtare, Berisha theksoi se SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë mbështesin çdo betejë kundër korrupsionit dhe sipas tij, opozita shqiptare është pjesë e kësaj mbështetjeje.
“SHBA dhe faktori ndërkombëtar mbështesin çdo betejë kundër korrupsionit. Opozita gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare”, tha Berisha.
Ai akuzoi qeverinë për abuzime financiare dhe përfshirje në skandale të rënda korruptive, duke përmendur emra të zyrtarëve të lartë. Sipas tij, këto raste janë denoncuar edhe në rezoluta ndërkombëtare, të cilat, siç tha, janë censuruar nga mediat pranë qeverisë.
“Opozita ka dhe do të ketë mbështetjen më të fuqishme. Janë shtatë rezoluta ndërkombëtare që janë censuruar në mënyrë të tmerrshme nga mediat e qeverisë”, përfundoi Berisha.
