Reshje të dendura dëbore dhe orteqe/ Bllokohet rruga për në Theth, trashësia e borës arrin deri në 2 metra

Data

Reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara me erë të fortë kanë shkaktuar probleme serioze në akset malore në veri të vendit. Aksi Hani i Hotit – Vermosh është përfshirë nga reshje intensive që prej pasdites së djeshme dhe deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, veçanërisht në lartësitë mbi 700 metra.

Në Qafën e Perdelecit trashësia e dëborës ka kaluar mbi 80 centimetra, ndërsa temperaturat e ulëta kanë përkeqësuar kushtet e qarkullimit. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore në të gjithë aksin, ndërsa në segmentin e Qafës së Perdelecit (Gropat e Selcës – Degëzim Vermosh/Doganë) lëvizja rekomandohet vetëm me zinxhirë, për shkak të dëborës që fryhet nga era e fortë nga skarpatat anësore.

Ndërkohë, rruga drejt Thethit vijon të jetë e bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme dhe qarkullimi i mjeteve nuk lejohet. Gjatë natës janë regjistruar reshje shumë të dendura bore, të shoqëruara me orteqe, të cilat kanë bërë të pamundur lëvizjen në këtë aks.

Situata paraqitet më problematike në Qafë Thore, ku për shkak të erës së fortë, trashësia e dëborës në disa pika ka arritur deri në 2 metra. Strukturat përgjegjëse ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin dhe hapjen e rrugës, por kushtet e vështira atmosferike e bëjnë ndërhyrjen të ndërlikuar.

Autoritetet u bëjnë apel banorëve dhe udhëtarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat malore dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related