“Unë kam bërë burg, ata kanë përfituar tendera”, Salianji sulmon drejtuesit e PD-së: Thonë se i shërbejmë Ramës, por e vërteta është tjetër

Data

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar akuzat ndaj drejtuesve të PD-së, duke i cilësuar si të shkëputur nga realiteti dhe përgjegjës për dobësimin e opozitës përballë qeverisë Rama.

Gjatë një takimi me demokratët, Salianji u shpreh se PD sot nuk arrin të kuptojë pse mobilizon më pak qytetarë në protesta sesa shoqata apo grupe jo-politike, pavarësisht mbështetjes së gjerë që ka në letër.

“PD sot nuk e kupton pse ka problemin që mbledh tre herë më pak njerëz para Kryeministrisë sesa shoqata e gjuetarëve në vitin 2021. Ne nuk mund të kemi më pak njerëz se një shoqatë gjuetie, kur PD ka minimalisht 500 mijë mbështetës dhe mijëra të tjerë që janë kundër qeverisë së Ramës”, tha Salianji.

Ai hodhi poshtë argumentin se demokratët kanë frikë nga regjimi, duke theksuar se opozita shqiptare nuk është trembur as në periudha shumë më të rënda.

“Demokratët nuk kanë pasur frikë nga regjime që vrisnin. Nuk mund të justifikohemi sot me frikë, kur sallat në qytete mbushen plot”, u shpreh ai.

Salianji reagoi ashpër edhe ndaj akuzave se kritikat e tij i shërbejnë kryeministrit Rama, duke theksuar se pikërisht pazaret dhe heshtja e disa drejtuesve janë arsyeja pse Rama ka qëndruar në pushtet për 13 vite.

“Kur thonë se kjo i shërben Ramës, sikur këta e rrëzuan Ramën në 13 vite. Ramën e mban kush bën pazare me të. Nuk ka interes më të madh për demokratët dhe për mua personalisht sesa rrëzimi i tij”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Salianji bëri një krahasim të fortë mes sakrificës personale dhe përfitimeve të disa figurave politike.

“Unë kam bërë burg. Ndërkohë, shumë të tjerë kanë bërë leje, tendera, koncesione dhe para. Si mund të thuhet se unë dhe ju jemi problem për PD, kur ne e kemi përballur Ramën, ndërsa të tjerë janë dërrmuar prej tij në çdo palë zgjedhje që nga viti 2013?”, tha Salianji.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka ende forcë për t’u reformuar dhe për të bashkuar të gjithë demokratët, duke vendosur si prioritet rrëzimin e qeverisë dhe mbrojtjen e qytetarëve që, sipas tij, përballen çdo ditë me represionin shtetëror.

“Fokusi ynë është një: të gjejmë mekanizmin për ta rrëzuar qeverinë e Ramës sa më shpejt dhe për t’u dalë në krah njerëzve që vuajnë çdo ditë nga kjo qeveri”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related