Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet politike të ditëve të fundit, protestat në Tiranë, axhenda parlamentare dhe angazhimi i deputetëve në terren.
Sipas burimeve nga mbledhja, Rama u kërkoi deputetëve të shtojnë kontaktet me qytetarët dhe të jenë më aktivë në komunikimin publik, përfshirë edhe rrjetet sociale, në një periudhë kur protestat kundër qeverisë po vazhdojnë prej një muaji.
Gjatë mbledhjes u diskutua gjithashtu axhenda e seancave plenare të kësaj jave. Seanca e së martës i kushtohet kryesisht shqyrtimit të raporteve të institucioneve të pavarura, ndërsa të enjten Kuvendi pritet të shqyrtojë dhe votojë një sërë projektligjesh. Po ashtu, në javët e mbetura të sesionit parlamentar pritet të trajtohen edhe çështje që lidhen me reformën territoriale.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi lidhur me vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi socialist dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.
Balla deklaroi se, sipas tij, Koçeku duhet të dorëzojë mandatin, duke argumentuar se ai është fituar nën siglën e Partisë Socialiste.
“Marjana Koçeku duhet të dorëzojë mandatin e Partisë Socialiste, pasi mandati është marrë nën logon e saj dhe jo përmes votimit të drejtpërdrejtë”, u shpreh Balla.
I pyetur për deklaratat e Koçekut se brenda grupit parlamentar nuk lejohej mendimi ndryshe, Balla tha se gjatë periudhës së bashkëpunimit kishte marrë vetëm vlerësime nga deputetja për mënyrën e drejtimit të mbledhjeve të grupit.
