Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi në rrugën drejt Brukselit: Bie ndjeshëm mbështetja e serbëve për anëtarësimin në BE

Data

Ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po avancojnë më shpejt në procesin e integrimit europian, Serbia po mbetet pas, duke u përballur njëkohësisht me rënie të fortë të mbështetjes publike për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Sipas një sondazhi të fundit të kryer në Beograd nga Qendra për Politikë Bashkëkohore, vetëm 36 përqind e qytetarëve serbë shprehen aktualisht në favor të anëtarësimit në BE. Kjo shifër përfaqëson një rënie të ndjeshme krahasuar me rreth 70 përqind mbështetje që ekzistonte rreth 15 vite më parë. Ndërkohë, 33 përqind e të anketuarve shprehen hapur kundër integrimit europian, duke e afruar pothuajse në nivel të barabartë me mbështetësit.

Rezultatet kanë nxitur debate të forta në Serbi mbi arsyet e kësaj krize besimi. Një pjesë e analistëve fajësojnë qeverisjen autoritare dhe retorikën anti-perëndimore në media, ndërsa të tjerë theksojnë përgjegjësinë e vetë Bashkimit Europian për vonesat e gjata dhe mungesën e perspektivës së qartë për Ballkanin Perëndimor.

Sipas ekspertes për çështjet europiane Bojana Selakoviç, përgjegjësia ndahet mes të dyja palëve. Ajo vlerëson se, edhe pse Serbia zyrtarisht nuk e ka braktisur synimin për BE-në, integrimi nuk ka qenë kurrë prioritet real për qeverinë. Në të njëjtën kohë, edhe BE-ja ka toleruar për vite me radhë shkelje të standardeve demokratike, për sa kohë që ruhej një stabilitet minimal në rajon.

Gjatë kësaj periudhe, Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë, ndërsa Brukseli, sipas kritikëve, ka ndjekur një politikë të ashtuquajtur “stabilokraci”, duke mbyllur sytë përballë manipulimeve zgjedhore dhe presionit ndaj mediave e opozitës.

Megjithatë, mbështetja për Bashkimin Europian mbetet më e lartë tek të rinjtë. Ata e shohin BE-në si një burim mundësish konkrete për arsim, lëvizshmëri, treg pune dhe siguri ligjore.

Serbia ndodhet prej më shumë se një viti në një krizë të thellë politike, e shoqëruar me protesta të vazhdueshme pas tragjedisë në stacionin e trenit të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestat kanë rikthyer vëmendjen e BE-së mbi gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend, por sipas ekspertëve, kjo ndërhyrje vjen shumë vonë.

Sipas Selakoviç, dëmi tashmë është bërë: besueshmëria e axhendës europiane në Serbi është dobësuar ndjeshëm, ndërsa qeveria ka arritur të konsolidojë pushtetin pa kufizime reale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related