Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në disa qarqe të vendit si pasojë e reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, janë evidentuar rritje të prurjeve në disa lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose gjendje e qëndrueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës, janë verifikuar 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ndërsa rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Vijon procesi i vlerësimit të dëmeve.
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lumi Drin vijon të jetë në rënie, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore të prekura nga rrëshqitjet e dherave dhe për largimin e ujit nga disa objekte.
Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe autoritetet vendore, po asistojnë në evakuime, transport të banorëve dhe shpërndarje ndihmash, sipas nevojave.
