Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përkujtuar sot 8 Dhjetorin 1990, ditën kur lëvizja studentore e udhëhequr nga Azem Hajdari nisi protestat historike që çuan në rrëzimin e regjimit komunist dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Në fjalën e mbajtur me rastin e Ditës së Rinisë, Berisha e cilësoi 8 Dhjetorin si një nga datat më të rëndësishme të historisë së lirisë shqiptare, duke nënvizuar se ajo ditë shënoi “ditëlindjen e lirive”.
Berisha: Azem Hajdari, prijësi legjendar i revolucionit demokratik
Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri vlerësoi lart figurën e Azem Hajdarit, simbolin e lëvizjes studentore, i cili sipas tij udhëhoqi “revolucionin demokratik që si një uragan ndau epokat dhe vendosi pluralizmin politik”.
Sipas Berishës, studentët e dhjetorit 1990 ishin “misionarë të paepur”, të cilët që në protestën e parë shpallën moton që u bë shtylla e ndryshimit historik: “Liri, demokraci, Shqipëria si Evropa”.
Berisha: 8 Dhjetori – momenti që solli fundin e diktaturës
“Si sot 35 vite më parë, studentët e Universitetit të Tiranës dhe shkollave të tjera të larta, të udhëhequr nga Azem Hajdari, nisën protestat dhe revolucionin demokratik. Në këtë datë, engjëjt e demokracisë u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se 8 Dhjetori mbetet një moment kyç, jo vetëm për rrëzimin e sistemit totalitar, por edhe për orientimin e pandalshëm të Shqipërisë drejt vlerave dhe idealeve perëndimore.
