Një situatë alarmante është regjistruar në fshatin Cërravë të Pogradecit, ku një banesë ndodhet nën kërcënim serioz për shkak të rrëshqitjes së një masivi të madh dheu, i cili gjendet vetëm pak metra mbi objektin e banimit.
Zona përreth ka qenë e mbjellë prej vitesh me vreshta dhe pemë frutore, çka ka ndikuar në stabilizimin e përkohshëm të terrenit dhe ka shmangur deri tani pasoja më të rënda. Megjithatë, specialistët theksojnë se rreziku mbetet i lartë, sidomos nëse reshjet vijojnë.
Shërbimet e emergjencës të Bashkisë dhe Prefekturës kanë mbërritur në vendngjarje për të vlerësuar nga afër gjendjen dhe për të përcaktuar masat e nevojshme parandaluese.
Në banesën e rrezikuar jetojnë dy familje të mbiemrit Kapa. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të tyre të përkohshëm, në varësi të ecurisë së situatës dhe ekspertizës teknike mbi stabilitetin e terrenit.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa banorëve u është kërkuar të jenë të gatshëm për çdo njoftim nga strukturat përgjegjëse.
