Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat e forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke e cilësuar praninë e Ballukut në zonat e përmbytura si një akt hipokrizie dhe propagande politike.
Sipas Berishës, Rama po shpërfill ligjin, Kushtetutën dhe institucionet e drejtësisë për të mbrojtur zv/kryeministren, të cilën ai e përshkroi si një figurë “të diskredituar në shkallë ekstreme” për shkak të aferave korruptive dhe mënyrës së sjelljes publike.
“Ai nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh drejtësi. Ai është i të gjitha pushteteve. Dhe mbi këtë, e merr dhe e dërgon atë figurë të diskredituar, atë ‘Lubi’, në zonat e përmbytura, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së ironizoi vizitën e Ballukut te ura e Mifolit, duke përdorur një krahasim të ashpër: “E çon te ura e Mifolit, njësoj si të çosh litarin në shtëpinë e të varurit. Pasi i ka vjedhur ata njerëz dhe sot ata janë të përmbytur në të katër anët, shkaqet duken qartë”.
Berisha theksoi se shqiptarët kanë parë, sipas tij, “llumin moral dhe gjuhën e papranueshme” të qeveritarëve, duke shtuar se sjellja e pushtetit ka kaluar çdo kufi etik dhe institucional. Ai e cilësoi praninë e Ballukut në terren jo si ndihmë reale për qytetarët e prekur nga përmbytjet, por si një “show politik” të urdhëruar nga kryeministri.
Në përfundim, Berisha akuzoi Ramën se po përdor çdo mjet për të shmangur përgjegjësinë dhe për të mbajtur pushtetin, ndërsa qytetarët, sipas tij, po paguajnë pasojat e korrupsionit dhe keqmenaxhimit.
