Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si autorin real të asaj që e quajti “grusht shteti institucional”.
Berisha u ndal te rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se ajo nuk vepron e vetme dhe se pas saj fshihet drejtpërdrejt kryeministri. Sipas tij, Rama ka marrë de facto pushtetin e Parlamentit dhe po përdor institucionet për të mbrojtur veten, duke shkelur Kushtetutën.
“Ai de facto ka kryer një grusht shteti, duke marrë pushtetin e Parlamentit. Ai po mbron heqjen e imunitetit dhe ka dëshmuar se Balluku është thjesht një shërbëtore e verbër e tij. Shqiptarët tashmë e kanë të qartë kush është autori i vërtetë,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së përmendi edhe disa projekte infrastrukturore, që sipas tij janë prova të përfshirjes direkte të Ramës. Ai foli për tunelin e Llogarasë, duke pretenduar se kostoja reale është dhjetëra miliona euro më e lartë se ofertat fillestare, si dhe për ndarjen e Unazës së Madhe në disa lote, ku disa segmente, sipas Berishës, kanë arritur shifra shumë të larta financiare.
Berisha akuzoi kryeministrin se po përdor çdo mjet për të shmangur përgjegjësinë politike dhe penale, ndërsa shtoi se rasti Balluku ka ekspozuar Ramën edhe përpara komunitetit ndërkombëtar. “Vetëm një autokrat, vetëm një diktator mund t’i lejojë vetes këto veprime,” përfundoi ai.
