Situata e përmbytjeve në Shkodër/ 266 hektarë tokë të mbuluar nga uji, niveli i lumenjve nën kontroll

Data

Situata e përmbytjeve në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Sipas verifikimeve në terren të kryera më 10 janar, në orën 08:00, nivelet e ujit në lumenjtë kryesorë mbeten nën kuotat kritike dhe nuk raportohen problematika serioze në zonat e banuara.

Autoritetet bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit është shënuar një rritje e lehtë e nivelit të ujit, rreth 10–20 centimetra, por pa rrezik për përmbytje banesash. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit ka arritur në 8.30 metra, ndërsa në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin shënon kuotën 8.05 metra. Në njësinë administrative Dajç, niveli raportohet në 6.48 metra.

Në total, në territorin e Bashkisë Shkodër janë përmbytur rreth 266 hektarë tokë, kryesisht tokë bujqësore. Nuk ka raportime për banesa të përfshira nga uji apo për rrezik për jetën e banorëve.

Në njësinë administrative Ana e Malit, rruga që lidh zonën me Obotin vijon të jetë e bllokuar për automjetet e ulëta, ndërsa lejohet qarkullimi vetëm për mjete të larta, pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 50 centimetra. Në këtë zonë janë përmbytur rreth 130 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në fshatrat Obot dhe Muriqan.

Në njësinë administrative Dajç, përmbytjet kanë prekur rreth 35 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në zonën e Pentarit, ndërsa në Velipojë janë përmbytur rreth 101 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se situata është në përmirësim gradual, me tendencë të tërheqjes së ujit nga zonat e prekura. Strukturat vendore mbeten në gatishmëri dhe vijojnë monitorimin e pandërprerë për çdo ndryshim të mundshëm të situatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related