Braçe: Dorëheqja e qeverisë nuk ka bazë, ballafaqimi me qytetarët bëhet përmes zgjedhjeve

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej një muaji para Kryeministrisë, duke deklaruar se qeveria nuk ka arsye të japë dorëheqjen, pasi sipas tij gëzon legjitimitetin e dalë nga zgjedhjet.

I ftuar në një emision televiziv, Braçe u shpreh se kërkesat për rrëzimin e qeverisë janë politike dhe se ballafaqimi me qytetarët duhet të zhvillohet përmes procesit zgjedhor.

“Ballafaqimi me njerëzit është proces elektoral. Kushdo që kërkon dorëheqjen e qeverisë duhet t’i referohet rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë,” tha ai.

Sipas Braçes, protestat duhet të dëgjohen kur ngrenë shqetësime për mirëqeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve, por ai i cilësoi si të papranueshme propozimet për krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe ndryshimet kushtetuese të propozuara nga organizatorët e protestës.

Deputeti socialist argumentoi se vendi ka institucione legjitime dhe se qeveria ka marrë mandatin përmes zgjedhjeve, ndërsa theksoi se Shqipëria është në proces negociatash për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Braçe komentoi edhe propozimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke u shprehur se çdo reformë duhet të bazohet në rekomandimet e misionit të OSBE/ODIHR dhe të diskutohet në mënyrë institucionale.

Në lidhje me idenë e kufizimit të mandateve të kryeministrit, ai deklaroi se mandatet kufizohen nga vota e qytetarëve dhe jo domosdoshmërisht përmes ndryshimeve ligjore apo kushtetuese.

Deklaratat e Braçes vijnë në një kohë kur protestat qytetare kanë hyrë në ditën e 30-të, ndërsa organizatorët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related