Arben Ahmetaj, duke folur në Syri TV, deklaroi se kthimi i tij në Shqipëri do të ndodhë vetëm në momentin kur Edi Rama nuk do të jetë më kryeministër dhe kur drejtësia të jetë e çliruar nga ndikimi politik.
Në akuzat e tij të drejtpërdrejta, Ahmetaj u shpreh se “paraja e drogës është nëna e të gjitha të këqijave në Shqipëri”, duke theksuar se ajo ka deformuar ekonominë, shoqërinë, kulturën dhe politikën, si dhe ka shkatërruar klasën e mesme.
Ai e përshkroi realitetin aktual si “Shqipëria e frikës, Shqipëria kartel droge, Shqipëria e Edi Ramës”.
Gjatë intervistës, Ahmetaj u pyet nëse do të pranonte të përballej me drejtësinë në Shqipëri. Ai u përgjigj se do të kthehej vetëm kur drejtësia të mos përdoret si mjet presioni politik dhe kur hetimet të jenë reale, jo statistikore.
Sipas tij, vetëm në kushtet e një drejtësie të pavarur dhe pa ndikim politik, ai do të ishte i gatshëm të rikthehej dhe të përballej me akuzat.
