Disa probleme “teknike” në sistemin e deklarimit on-line të pasurive pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) u përdorën si shkak që të pezullohet procedura e nisur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) për plotësimin e një vendi vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska.
Tre kandidatë për atë pozicion u përballën me sfida teknike gjatë procesit të deklarimit të pasurive, duke humbur afatin ligjor prej 15-ditësh, një handikap që u shfrytëzua nga kreu i KED-it, njëkohësisht edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të kthyer në pikën zero të gjithë procedurën e nisur më herët nga Elisa Spiropali.
Përtej dyshimeve që e gjithë kjo histori është stisur, për qëllime që i di vetëm Sadushi, handikapet e supozuara në sistemin “çudibërës” të ILDKPKI-së po përdoren tashmë prej disa vitesh si një mjet tërësisht efikas për të bllokuar transparencën mbi pasuritë e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
