Një stuhi e fuqishme me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu ka përfshirë Stambollin, duke shkaktuar kaos në transport dhe probleme serioze për qytetarët. Dhjetëra fluturime janë anuluar, ndërsa avionët kanë hasur vështirësi të mëdha gjatë uljeve në aeroportin Sabiha Gökçen.
Si pasojë e kushteve të rënda atmosferike, autoritetet kanë pezulluar të gjitha shërbimet e trageteve bregdetare. Sipas Qendrës së Koordinimit të Fatkeqësive të Komunës së Stambollit, stuhia ka përfshirë gjithë qytetin, me erëra që në disa zona kanë tejkaluar 70 km/orë.
Erërat e forta kanë rrëzuar pemë në disa lagje, duke dëmtuar automjete dhe duke detyruar mbylljen e disa rrugëve. Në zonën Bahçelievler, një person mbeti i plagosur pasi u godit nga një pemë e rrëzuar. Probleme janë raportuar edhe në Dardanele, ku transporti detar është ndërprerë plotësisht.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e motit.
