Deputetja e Partisë Demokratike në Kurbin, Elda Hoti, ka denoncuar mungesën totale të pranisë së shtetit dhe të ndihmës institucionale për banorët e prekur nga përmbytjet në zonën e Fushë-Kuqes dhe Patokut.
Sipas Hotit, situata në Fushë-Kuqe është dramatike, ku uji u ka marrë gjithçka banorëve, duke shkatërruar banesa, toka bujqësore dhe duke lënë familje të tëra në mëshirë të fatit. Ajo thekson se institucionet shtetërore mungojnë plotësisht në terren, ndërsa qytetarët janë lënë të përballen vetëm me pasojat e rënda të përmbytjeve.
“Kjo nuk është thjesht një përmbytje, kjo është braktisje. Papërgjegjshmëria po shkatërron qytetarët,” deklaron Hoti.
Deputetja denoncon gjithashtu gjendjen alarmante në zonën e Patokut, ku dhjetëra biznese janë dëmtuar rëndë nga vërshimet e ujit. Sipas saj, familjet dhe sipërmarrësit në këtë zonë po përballen me humbje të mëdha ekonomike, pa marrë asnjë ndihmë apo mbështetje nga shteti.
“Biznese të shkatërruara, familje në vështirësi dhe asnjë ndihmë nga institucionet. Banorët janë lënë në harresë totale,” thekson Hoti, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga qeveria dhe marrjen e masave konkrete për mbështetjen dhe dëmshpërblimin e qytetarëve të prekur nga përmbytjet.
