Plarent Ndreca del në përgjimet e SPAK, GJKKO rrëzon kërkesën për pavlefshmërinë e tyre

Data

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist Plarent Ndreca për të shpallur të pavlefshme dhe të papërdorshme përgjimet e kryera ndaj tij, para regjistrimit të emrit si person nën hetim.

Vendimi u mor më 19 maj, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes, e cila argumentoi se përgjimet janë realizuar në një kohë kur Ndreca konsiderohej i dyshuar dhe, sipas avokatit të tij Ermal Yzeiraj, duhej të ishte regjistruar zyrtarisht si person nën hetim për të ushtruar të drejtat procedurale.

Sipas mbrojtjes, mosregjistrimi i emrit në atë fazë i ka mohuar Ndrecës mundësinë për të dhënë shpjegime dhe për të kundërshtuar veprimet hetimore të prokurorisë.

Nga ana tjetër, prokurorja speciale Dorina Bejko ka mbrojtur qëndrimin se regjistrimi i një personi si i hetuar bëhet vetëm pasi sigurohen prova që krijojnë dyshim të arsyeshëm dhe se momenti i regjistrimit mbetet në vlerësimin e prokurorit.

Kryesuesja e trupit gjykues, Rudina Palloj, argumentoi se ligji nuk parashikon që përgjimet të kryhen vetëm pasi një person të jetë regjistruar zyrtarisht nën hetim.

“Ligjvënësi nuk ka përcaktuar një moment fiks se kur bëhet regjistrimi i emrit të personit nën hetim”, u shpreh gjykata, duke theksuar se prokurori ka tagrin të vlerësojë momentin kur ekziston dyshimi i arsyeshëm.

Pas rrëzimit të kërkesave paraprake, gjykata vendosi çeljen e shqyrtimit gjyqësor. Seanca e radhës është caktuar më 3 qershor, ora 09:00, kur prokuroria do të paraqesë analizën e provave.

Sipas SPAK, Ndreca dhe disa ish-zyrtarë të institucioneve shtetërore akuzohen se kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin arkitektin Gjon Radovani për të përfituar tendera me vlerë rreth 34 milionë lekë.

Në kohën e kryerjes së veprave të dyshuara, Ndreca mbante postin e sekretarit të Përgjithshëm në Ministria e Brendshme e Shqipërisë.

Çështja ndaj tij u nda nga ajo e të pandehurve të tjerë në tetor të vitit të kaluar, pasi ish-deputeti kërkoi të gjykohej me procedurë të zakonshme, ndërsa të tjerët po gjykohen me procedurë të shkurtuar.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related