“Pushtetarët veshin çizmet e propagandës, por qytetarët mbyten”/ PD kërkon dorëheqjen e Pirro Vengut

Data

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për dështim të plotë në menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë ditëve të fundit, duke e cilësuar gjendjen në disa qytete të vendit si alarmante dhe katastrofike.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, e thirrur dy ditë më parë nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret në terren.

Sipas PD-së, qytetarë në Tiranë, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Cërrik, Elbasan, Pogradec dhe zona të tjera të vendit vijojnë të jenë të përmbytur dhe të izoluar në banesat e tyre, me dëme të mëdha materiale. Banorët raportojnë se institucionet shtetërore nuk u janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë, ndërsa të vetmit që kanë qenë të pranishëm në terren janë gazetarët.

“Qytetet e Shqipërisë ndodhen prej ditësh nën pushtetin e ujit. Vetëm tre muaj më parë ndodhi një tjetër përmbytje dhe, edhe këtë herë, nuk u mor asnjë masë parandaluese, ndonëse reshjet ishin paralajmëruar,” u shpreh Vangjeli.

PD akuzon qeverinë se ka zëvendësuar veprimet konkrete me propagandë, duke organizuar, sipas saj, pseudo-inspektime, ndërkohë që infrastruktura për menaxhimin e ujërave të bardha vijon të jetë jashtë funksionit. Sipas deklaratës, kanalet dhe pusetat janë të bllokuara, ndërsa investimet milionëshe në hidrovorë rezultojnë të pafrytshme përballë situatës aktuale.

Në këtë kontekst, Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura dhe marrjen e përgjegjësisë së plotë nga shteti për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura.

PD i bën thirrje Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, të japë dorëheqjen, duke theksuar se paaftësia dhe mosveprimi institucional kanë çuar në një situatë të paralajmëruar, me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si dhe me rrezik për jetën e qytetarëve.

“Shqipëria nuk qeveriset me propagandë, por me veprime konkrete,” përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related