Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, të prekura rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Në kërkesën drejtuar Këshillit të Ministrave, Kuvendit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, PD kërkon vlerësim të plotë dhe objektiv të dëmeve reale, si dhe kompensim të plotë financiar për banorët e prekur.
Sipas Grupit Parlamentar të PD, situata është e rëndë dhe strukturat shtetërore nuk po veprojnë me kapacitet të plotë në të gjitha zonat e prekura, duke lënë qytetarët pa mbështetje të mjaftueshme përballë kësaj fatkeqësie. Në kërkesë theksohet edhe fakti se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona dhe biznese, ndërsa një qytetar nga Durrësi ka humbur jetën.
Deputetët e opozitës i referohen ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, sipas të cilit shteti mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ka detyrimin të garantojë mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Ata theksojnë se mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rrezikon të pamundësojë dëmshpërblimin e plotë të të prekurve dhe krijon pasiguri të thellë për përballimin e situatës.
Në kërkesën e tyre, PD kërkon konkretisht:
- Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale për qarqet e prekura.
- Klasifikimin e situatës si fatkeqësi natyrore për shkak të përmbytjeve dhe vërshimeve të ujit që përbëjnë rrezik për jetën, banesat dhe infrastrukturën.
- Vlerësimin e dëmeve në vlerën reale dhe kompensimin e plotë financiar për qytetarët, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD i kërkon Kryetarit të Kuvendit që të sigurojë informimin e menjëhershëm të Kuvendit nga qeveria mbi situatën, rreziqet dhe masat e marra për menaxhimin e emergjencës.
Sipas opozitës, çdo vonesë apo mosveprim nga ana e qeverisë do të përbënte një papërgjegjshmëri të rëndë institucionale, me pasoja serioze për qytetarët e prekur nga përmbytjet.
