Avokatja e së Drejtës Ndërkombëtare Penale, Dina Jasini, pjesë e grupit të mbrojtjes së Rexhep Selimit në Hagë, ka deklaruar se vendimi për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të shpallet në periudhën qershor-korrik të këtij viti.
Sipas saj, trupi gjyqësor ka njoftuar se do të informojë palët në proces për datën e vendimit, ndërsa vonesa lidhet me volumin e madh të çështjes. Jasini theksoi se deklaratat përmbyllëse kanë qenë sintezë e dosjeve me qindra faqe dhe se të katër të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
Prokuroria pretendon se UÇK-ja ka vepruar mbi bazën e një zinxhiri të strukturuar komandimi dhe se katër të akuzuarit kanë pasur përgjegjësi individuale komanduese për veprimet e vartësve të tyre. Sipas mbrojtjes, akuza mbështetet në prova të pamjaftueshme dhe kërkon të provojë përgjegjësi në kuadër të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Më 18 shkurt, në Gjykatën Speciale në Hagë u zhvillua një nga seancat më të rëndësishme të procesit, ku ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – paraqitën deklaratat e tyre përmbyllëse, duke kërkuar pafajësinë.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme në këtë proces gjyqësor.
