Ka dështuar edhe këtë të enjte mbledhja e Këshillit të Mandateve, duke shtuar tensionet politike rreth kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve akuzuan kryetarin e këtij këshilli, Niko Peleshi, se po shkel rregulloren duke mos thirrur mbledhjen, ndërsa sipas tyre pengesa vjen me urdhër të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Oerd Bylykbashi, deklaroi se opozita është në mbështetje të plotë të vijimit të procedurës për heqjen e imunitetit dhe se kërkesa e SPAK nuk lidhet vetëm me pamundësinë e zbatimit të masës së pezullimit nga detyra, por me rritjen e rrezikshmërisë shoqërore të zyrtares së lartë.
“Provat e paraqitura nga SPAK janë të qarta. Kërkesa vjen sepse personi nën hetim ka intimiduar dëshmitarët dhe janë shtuar akuzat për veprime të tjera të paligjshme. Kërkojmë me urgjencë thirrjen e mbledhjes së Këshillit,” u shpreh Bylykbashi.
Sipas tij, Niko Peleshi ka penguar qëllimisht zhvillimin e mbledhjes duke mos njoftuar as Belinda Ballukun, as anëtarët e Këshillit dhe as përfaqësuesit e SPAK. Ai theksoi se ligjërisht e drejta për të thirrur Këshillin i takon edhe gjysmës së anëtarëve dhe se kryetari ka detyrim ligjor të njoftojë palët dhe të mbledhë Këshillin.
“Mjafton prania jonë që mbledhja të jetë e vlefshme. Nuk kërkohet domosdoshmërisht 50+1 e anëtarëve. Kjo është një pengesë e qëllimshme ndaj drejtësisë,” përfundoi Bylykbashi.
