Ish-kryeministri Sali Berisha konsiderohet aktualisht politikani më i ekspozuar ndaj drejtësisë, me tetë dosje të rënda penale që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se një pjesë e këtyre çështjeve ndodhen në faza të avancuara hetimore dhe pritet të sjellin zhvillime të rëndësishme.
Një nga dosjet më sensitive është ajo e 21 Janarit, ku katër qytetarë humbën jetën gjatë protestës në bulevard. Pas më shumë se një dekade zvarritjeje, çështja ndodhet në fazën përfundimtare të hetimit dhe është shpallur prioritet nga SPAK. Sali Berisha është thirrur për këtë dosje dhe, sipas burimeve, prova të reja të siguruara nga autoritete ndërkombëtare mund të rëndojnë ndjeshëm pozitën e tij ligjore.
Paralelisht, SPAK po heton edhe vrasjet në Tropojë gjatë viteve ’90, bazuar në kallëzime të reja penale dhe dëshmi të detajuara nga familjarë të viktimave. Hetimet përfshijnë deklarime të gjata, materiale filmike dhe dokumente që, sipas kallëzuesve, provojnë përgjegjësi direkte dhe indirekte të ish-kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Një tjetër front hetimor lidhet me aferat financiare me biznesmenë serbë, ku dyshohet për pastrim parash dhe përfitime të paligjshme që arrijnë në mbi 1 milion euro. Këto çështje po trajtohen si pjesë e një strukture të organizuar kriminale.
SPAK ka ekspozuar gjithashtu pasuri të fshehura të familjes Berisha, kryesisht jashtë vendit. Hetimet tregojnë se pasuria e familjes është rritur ndjeshëm gjatë viteve të pushtetit, përmes skemave të transferimit të pronave, huave fiktive dhe shkëmbimeve të dyshimta pasurore, të realizuara në emër të fëmijëve dhe dhëndrit të ish-kryeministrit.
Në fokus është edhe dosja e Gërdecit, e cila ka hyrë në një fazë vendimtare pas paraqitjes së provave të reja në Gjykatën e Posaçme. Dokumente zyrtare dhe dëshmi të reja hedhin dyshime serioze mbi rolin e familjarëve të Berishës në këtë ngjarje tragjike, ku humbën jetën 26 persona.
Ndërkohë, SPAK po verifikon edhe kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh në SHBA, e lidhur me përpjekjet për heqjen e statusit “non grata”. Hetimi përqendrohet në burimin e financimit dhe ligjshmërinë e kontratës.
Në fund, organi i posaçëm po shqyrton edhe akuzat e Izet Haxhisë, që përfshijnë dhjetëra ngjarje kriminale të atribuuara periudhës së parë të qeverisjes së Berishës.
Të gjitha këto dosje e vendosin ish-kryeministrin përballë një presioni të paprecedent ligjor, ndërsa mbetet për t’u parë se sa larg do të shkojë SPAK dhe nëse hetimet do të përkthehen në akuza konkrete penale.
