BIRN: Ironia e Ramës me përmbytjet ngjall zemërim mes partive opozitare

Data

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e mërkurë me tone ironike, ndërkohë që reshjet e dendura të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar një situatë të rëndë në disa qytete të vendit, ku qindra banesa janë përmbytur.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë…”, shkroi Rama në një status në rrjetet sociale.

Më pas, kryeministri ia faturoi pjesërisht përgjegjësinë qytetarëve, duke i akuzuar për hedhjen e mbeturinave në kanalet kulluese dhe duke publikuar foto nga Shkozet i Durrësit, ku kanalet ishin të bllokuara nga plehrat.

Këto reagime shkaktuan zemërim dhe kundërshti të forta nga opozita, e cila e akuzoi Ramën për cinizëm dhe mungesë përgjegjësie në një situatë emergjente. Opozita kërkoi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat më të prekura.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Rama “po bën sehir” dhe po refuzon të shpallë gjendjen e fatkeqësisë për të shmangur detyrimin ligjor për dëmshpërblimin e qytetarëve.

Edhe përfaqësues të tjerë të opozitës e lidhën situatën e përmbytjeve me korrupsionin dhe keqqeverisjen. Sipas tyre, mungesa e investimeve në infrastrukturë, urbanizimi pa plane të qëndrueshme dhe favorizimi i interesave klienteliste kanë përkeqësuar ndjeshëm pasojat e reshjeve.

Agron Shehaj u shpreh se reagimet e Ramës janë një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga aferat korruptive me të cilat po përballet qeveria, ndërsa Arlind Qori e cilësoi ironinë e kryeministrit si shenjë të papërgjegjshmërisë institucionale.

Edhe Adriatik Lapaj reagoi duke rikujtuar deklarata të Ramës kur ishte në opozitë, ku ai vetë shprehej se përmbytjet janë pasojë e mungesës së qeverisjes dhe jo thjesht e fenomeneve natyrore. Sipas Lapajt, përmbytja e qyteteve, përfshirë edhe Gjirokastrën, është rezultat i keqqeverisjes dhe korrupsionit.

Opozita thekson se, edhe pse reshjet janë fenomen natyror, pasojat e rënda që po përjetojnë qytetarët janë kryesisht rezultat i dështimit të shtetit për të parandaluar dhe menaxhuar situata të tilla emergjente.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related