“Në 2026 noton për të shkuar në shtëpi”/ Zyrtarja e PD trondit studion me çizme: Përmbytje, neglizhencë dhe dështim total i bashkisë

Data

Me çizme llastiku dhe veshje kamuflazhi, zyrtarja e Partisë Demokratike nga Durrësi, Jola Hysa, u shfaq në studio televizive për të folur për përmbytjet që paralizuan qytetin, duke dhënë një mesazh të fortë simbolik për gjendjen reale në terren.

Hysa rrëfeu se gjatë mëngjesit, teksa po çonte vajzën në kopsht pranë banesës, për pak sa nuk mbeti e bllokuar nga uji, duke theksuar se lëvizja në qytet ishte më e lehtë me not sesa me makinë.

“Për 20 minuta rrezikova jo vetëm të bllokohesha, por të detyrohesha të notoja për t’u kthyer në shtëpi. Nga lagjja në lagje shkon më shpejt me not se me makinë. Pa çizme nuk ia del askund. Mund të duket qesharake, por është e dhimbshme në vitin 2026. Kjo është tallje me qytetarët,” u shpreh ajo.

Sipas Hysës, problemi nis që nga dhënia e pakontrolluar e lejeve të ndërtimit dhe mungesa e urbanizimit të duhur nga bashkia, duke sjellë pasoja të rënda sa herë ka reshje intensive.

“Ndërtimet mbarojnë dhe urbanizimi nuk ekziston. Bashkia duhet të marrë masa, por nuk e bën. Jepet leje ndërtimi në zona problematike dhe pasojat i paguajnë qytetarët,” theksoi ajo.

Zyrtarja demokrate ngriti dyshime edhe mbi deklaratat e kryetares së Bashkisë Durrës, e cila ka pretenduar se në terren janë angazhuar 15 grupe pune.

“Thuhet se ka 15 grupe në terren, por askush nuk i ka parë. Bashkia duhet të shpallë emergjencën civile. Si mund t’i përballojnë 64 zjarrfikës gjithë Durrësin? Kjo është e pamundur,” deklaroi Hysa.

Ajo shtoi se dëmet për bizneset janë të rënda, me pajisje të shkatërruara dhe humbje të mëdha financiare, ndërkohë që asnjë dëmshpërblim nuk është dhënë, pavarësisht pagesës së rregullt të taksave.

“Bizneseve u janë djegur aparaturat, paguajnë taksa dhe nuk marrin asnjë qindarkë dëmshpërblim. Ka dy përmbytje brenda një viti ende të papaguara. Kjo situatë ishte plotësisht e shmangshme nëse buxheti do të përdorej për qytetarët,” përfundoi ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related