BIRN: 28 kryebashkiakë nën hetim e gjykim, alarm për degradimin e pushtetit vendor

Data

Një raport i publikuar nga BIRN nxjerr në pah një numër të lartë kryebashkiakësh aktualë dhe ish-drejtuesish vendorë që janë nën hetim, në proces gjykimi apo të dënuar për vepra penale si korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, shkelja e barazisë në tendera dhe falsifikimi i dokumenteve.

Sipas të dhënave të përmbledhura, që nga krijimi i Prokurorisë dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), 28 kryetarë aktualë apo ish-kryebashkiakë janë përballur me drejtësinë. Prej tyre, 25 janë përfaqësues të Partisë Socialiste, ndërsa katër i përkasin forcave opozitare.

Rasti më i bujshëm është ai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar në shkurt 2025 për akuza që lidhen me korrupsion dhe pastrim parash. Ai ndodhet në paraburgim dhe në proces gjykimi, ndërsa mban ende “de jure” mandatin e kryebashkiakut, pasi përpjekja e qeverisë për shkarkimin e tij u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Ekspertë të shoqërisë civile e konsiderojnë këtë fenomen si tregues të dobësive serioze në qeverisjen vendore. Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive, thekson se numri i lartë i kryebashkiakëve nën hetim lidhet me përqendrimin e pushtetit lokal, mungesën e kontrollit efektiv dhe kulturën klienteliste. Sipas tij, qytetarët janë ata që vuajnë pasojat përmes keqmenaxhimit të fondeve dhe uljes së cilësisë së shërbimeve.

Edhe Rigels Xhemollari nga organizata “Qendresa Qytetare” vë në dukje se përqendrimi i pushtetit vendor dhe atij qendror në të njëjtën forcë politike ka dobësuar mekanizmat e kontrollit. Ai thekson se nga monitorimet e tenderave në disa bashki janë evidentuar skema me konkurrencë fiktive dhe operatorë të favorizuar.

Sipas ekspertëve, ndikimi i këtyre rasteve është i drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, pasi pushteti vendor menaxhon shërbime bazë si pastrimi, investimet publike dhe lejet e ndërtimit. Parada e zyrtarëve vendorë të dyshuar apo të dënuar për korrupsion, sipas tyre, po gërryen besimin e publikut tek institucionet lokale.

Megjithatë, ata theksojnë se hetimet dhe dënimet mund të shërbejnë edhe si sinjal pozitiv, nëse tregojnë se drejtësia po funksionon në mënyrë të pavarur dhe po ndëshkon abuzimet me pushtetin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related