Alarm në Qarkun e Lezhës/ Mbi 1000 hektarë tokë nën ujë, përmbytjet rrezikojnë banesa, shkolla dhe akse rrugore

Data

Situata në Qarkun e Lezhës vijon të jetë kritike si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut me intensitet mesatar deri të lartë gjatë gjithë ditës. Sipas raportimeve zyrtare nga strukturat vendore dhe bujqësore, mbi 1000 hektarë tokë bujqësore janë aktualisht nën ujë, ndërsa në disa zona sipërfaqja e përmbytur vlerësohet të shkojë deri në rreth 1500 hektarë.

Në Bashkinë Lezhë, përmbytjet kanë prekur rëndë disa njësi administrative. Në Dajç, rreth 250 hektarë tokë janë nën ujë, ndërsa lumi Gjadër ka fryrë ndjeshëm në zonën e fshatrave Grash dhe Zojz, duke rrezikuar të kalojë mbi urën e Zojzit. Në këtë fshat raportohet edhe një banesë e rrethuar nga uji në oborr, ku po punohet për stabilizimin e situatës.

Në Njësinë Shënkoll janë përmbytur rreth 150 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në Balldre rreth 300 hektarë, kryesisht në fushën e Torovicës. Përmbytje raportohen edhe në Kallmet (20 ha), Zejmen (200 ha), Kolsh (60 ha) dhe Shëngjin (30 ha). Njësia Ungrej nuk paraqet problematika.

Rreth 100 banesa në të gjithë qarkun janë të rrethuara nga uji, megjithatë deri tani nuk janë në kushtet për evakuim masiv. Në qytetin e Lezhës, lagjja “Besëlidhja” mbetet një nga pikat më problematike, me prezencë uji në rrugë dhe ambiente përreth, ku po punohet për zhbllokimin e pusetave.

Probleme serioze janë shënuar edhe në shkolla. Mësimi nuk është zhvilluar në dy institucione arsimore, ndërsa në disa të tjera niveli i ujit ka rënë pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe emergjencave civile.

Në Bashkinë Kurbin situata paraqitet po aq e vështirë. Dalja nga shtrati e kanaleve kulluese ka përmbytur zona të tëra në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Laç, duke vështirësuar qarkullimin në akse të rëndësishme si Laç–Mamurras dhe Laç–Milot. Tetë familje me rreth 37 banorë janë evakuuar nga fshati Gjorm. Rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, ndërsa stacioni i pompimit në Fushë Kuqe është nën mbrojtje për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm.

Në Mirditë, në qytetin e Rrëshenit, ka pasur ndërhyrje për pastrimin e pusetave, pa raportime për përmbytje në banesa apo biznese. Ndërkohë, në segmentin Ura e Zogut–Rubik është shënuar një bllokim i përkohshëm nga rënia e gurëve, por situata është normalizuar.

Hidrovoret në qark po punojnë me kapacitet maksimal, por për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe kuotave të larta në kolektorë, sipërfaqe të mëdha toke mbeten ende nën ujë. Nivelet e lumenjve Drin, Mat dhe Drojë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme, me Drinin që ndodhet në kuota maksimale.

Të gjitha strukturat e emergjencave civile, bashkitë, policia, shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e ushtrisë janë në gatishmëri të plotë në terren. Fokusi kryesor mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe minimizimi i dëmeve, ndërsa situata pritet të mbetet problematike edhe në orët dhe ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related