Situata në Bashkinë Kurbin ka dalë jashtë kontrollit pas reshjeve të dendura të shiut, duke e kthyer qytetin e Laçit në një zonë emergjence. Përroi që përshkon qytetin ka dalë nga shtrati, ndërsa përrenjtë malorë kanë vërshuar me forcë, duke shkaktuar përmbytje masive.
Rrugë të tëra janë mbuluar nga uji, ndërsa dhjetëra banesa dhe biznese janë përmbytur. Automjete janë bllokuar dhe dëmtuar nga vërshimi i ujit, duke krijuar skena kaotike dhe panik mes banorëve. Në disa lagje, lëvizja është bërë praktikisht e pamundur.
Gjendja paraqitet veçanërisht problematike edhe në fshatrat Zhejë dhe Gjorm, ku uji ka pushtuar rrugët dhe oborret e banesave, duke rrezikuar izolimin e zonës.
Situatë alarmante raportohet edhe në aksin nacional Milot–Mamurras, ku përmbytjet kanë paralizuar qarkullimin rrugor. Lëvizja e mjeteve është tejet e vështirë, ndërsa në disa segmente rruga është pothuajse e pakalueshme.
Autoritetet vendore ndodhen në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal, pasi reshjet dhe prurjet e ujit vijojnë të mbeten një rrezik serioz për orët në vijim.
