Situata në Bashkinë Kukës mbetet kritike pas reshjeve të dendura të shiut, edhe pse për momentin moti është qetësuar. Në fshatin Orgjost, ura që shërben si lidhja e vetme për mbi 1 mijë banorë është në rrezik serioz shembjeje, si pasojë e prurjeve të fuqishme të lumit.
Sipas pamjeve të siguruara nga banorët, uji ka gërryer ndjeshëm bazamentet e betonit në hyrje dhe dalje të urës së tipit ushtarak, duke rritur frikën se çdo rritje e mëtejshme e nivelit të lumit mund ta bëjë atë të pakalueshme ose të shkaktojë dëmtime të rënda strukturore.
Banorët shprehen të alarmuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga emergjencat civile, si në nivel lokal ashtu edhe qendror. Ata paralajmërojnë se, nëse situata përkeqësohet, nuk do të lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë, për shkak të rrezikut real për jetën.
Situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se fshati Orgjost ka mbetur pa energji elektrike, ndërprerje që ka ndodhur rreth gjysmë ore më parë, duke lënë banorët në errësirë dhe pasiguri.
Banorët kërkojnë reagim urgjent për të shmangur izolimin total të zonës dhe një emergjencë më të madhe humanitare.
