Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pak minuta më parë në Rrugën e Arbrit, në segmentin Bulqizë–Maqellarë, në vendin e quajtur Krajkë, duke shkaktuar panik dhe vështirësi në qarkullim.
Dy automjete janë përplasur fort me njëra-tjetrën, si pasojë e së cilës janë plagosur dy persona, drejtuesit e mjeteve. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës, ku po marrin ndihmën mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë bërë të mundur normalizimin e situatës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Si pasojë e përplasjes, qarkullimi në këtë segment të Rrugës së Arbrit është vështirësuar përkohësisht, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.
