Atentati në Lezhë/ Në shënjestër fisi Nikulaj, nipi i biznesmenit të vrarë u plagos dhe u arratis, ndalohet polici që qëlloi ndaj autorëve, 4 persona në kërkim

Data

Detaje të rënda dalin nga atentati i ndodhur në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës, ku shënjestër nuk ka qenë pronari i biznesit, por persona nga fisi Nikulaj.

Nga breshëria e armëve u plagos Merando Nikulaj, 21 vjeç, nipi i biznesmenit Ardian Nikulaj, i ekzekutuar tre vite më parë në Shëngjin. I riu u qëllua në këmbë, por pas atentatit është larguar nga vendngjarja dhe nuk është paraqitur në asnjë spital, publik apo privat. Deri më tani nuk dihet gjendja e tij shëndetësore apo vendndodhja.

Burime hetimore bëjnë me dije se në berberhane dyshohet të ketë qenë edhe djali i Ardian Nikulajt, por policia nuk ka arritur ende ta lokalizojë apo ta marrë në pyetje.

Nga atentati mbeti i plagosur rëndë edhe pronari i berberhanes, Sokol Daci, 30 vjeç, i cili u qëllua me 5 plumba (2 në kraharor, 2 në bark dhe 1 në këmbë). Ai ndodhet në gjendje kritike, i intubuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Hetuesit theksojnë se Daci nuk ishte shënjestër dhe nuk ka precedentë penalë.

Në momentin e atentatit, në ambient ndodhej edhe një punonjës policie civil, i cili ishte jashtë shërbimit. Ai iu kundërpërgjigj autorëve me 10 të shtëna me armën e shërbimit, duke penguar realizimin e vrasjes. Megjithatë, me urdhër të prokurorisë, polici është ndaluar për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Ai ka deklaruar se ka qëlluar për të neutralizuar autorët, por nuk ka arritur t’i identifikojë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, kur dy persona zbritën nga një automjet tip “Audi” dhe qëlluan me breshëri mbi 30 plumba me kallashnikovë dhe pistoletë drejt berberhanes. Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 7 persona, të shpërndarë në dy automjete, të cilët u larguan menjëherë nga vendngjarja.

Zona nuk ka kamera sigurie dhe as berberhania nuk ishte e pajisur me to. Vetëm automjeti i autorëve është identifikuar përmes kamerave të bizneseve përreth.

Policia ka marrë gjurmë gjaku nga vendngjarja për analiza ADN-je dhe ka shpallur në kërkim 4 persona për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.

Hetimet po fokusohen edhe tek pista e hakmarrjes, pasi konflikti mes fisit Nikulaj dhe fisit Lekstakaj është i hershëm. Kujtohet se tre muaj pas vrasjes së Ardian Nikulajt, në korrik 2023, u vra në shenjë hakmarrjeje një anëtar i fisit Lekstakaj.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa ngjarja ka rikthyer tensionin në zonë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related