Procesi i Lotarisë Amerikane është vënë në pauzë të përkohshme, duke krijuar paqartësi dhe shqetësim tek mijëra aplikantë shqiptarë. Sipas sqarimeve nga konsulentë të fushës, ky pezullim nuk nënkupton anulim të programit, por lidhet me ndryshime teknike dhe administrative në mënyrën e aplikimit.
Arsyeja kryesore e ndalimit të përkohshëm është diskutimi për vendosjen e një tarife simbolike prej 1 dollari për çdo aplikim, çka kërkon përditësimin e sistemit elektronik dhe instalimin e një mekanizmi të ri pagesash. Deri në përfundimin e këtij procesi, aplikimet e reja mbeten të bllokuara.
Sa i përket atyre që janë tashmë në proces:
- Fituesit që kanë marrë një datë interviste vijojnë procedurat normalisht dhe nuk preken nga pezullimi.
- Fituesit që ende nuk kanë marrë datë interviste janë nën njoftim pezullimi; në disa raste janë dhënë data, por situata mbetet e paqartë deri në vendime të reja.
- Aplikimet e reja nuk pranohen për momentin.
Ekspertët theksojnë se programi është ende i vlefshëm ligjërisht dhe se bëhet fjalë për një ndalesë të përkohshme. Pritet që procesi të rifillojë sapo të përfundojnë ndryshimet teknike dhe të dalin udhëzimet zyrtare për aplikantët.
