Pas 12 vitesh në pushtet, të shoqëruara nga skandale të njëpasnjëshme ku ndërthuren korrupsioni, klientelizmi dhe nepotizmi, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tjetër operacion politik, këtë herë të paketuar si “luftë kundër nepotizmit”. Një nismë që për shumëkënd shihet si përpjekje për makijazh politik, në një sistem që prej vitesh ka funksionuar pikërisht mbi lidhjet familjare dhe favorizimet partiake.
Sipas planit të shpallur, pastrimi i administratës nga familjarët e ministrave, deputetëve, drejtorëve dhe kryebashkiakëve do të realizohet përmes një strukture të brendshme partiake. Në qendër të këtij operacioni qëndron krijimi i një Komisioni Etike në Partinë Socialiste, i cili do të merret me identifikimin dhe “korrigjimin” e rasteve të nepotizmit.
Për këtë qëllim është ngritur një grup me katër deputetë, i drejtuar nga Lindita Nikolla, e shoqëruar nga tre deputetë të rinj. Ironia e situatës qëndron në faktin se vetë shumë prej figurave që do të “luftojnë” nepotizmin, janë produkt i lidhjeve politike dhe klienteliste brenda mazhorancës.
Plani parashikon që deputetët, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve të plotësojnë formularë vetëdeklarimi, ku duhet të evidentojnë familjarët e punësuar në administratë. Lista e lidhjeve familjare nuk ndalet vetëm te bashkëshortët apo fëmijët, por shtrihet edhe te kunetërit, vjehrrit, madje deri te dajat dhe xhaxhallarët.
Por vetëdeklarimi nuk shihet si mjaftueshëm i besueshëm. Për këtë arsye, paralelisht është parashikuar një plan i dytë: aktivizimi i denoncimeve nga qytetarët. Një mekanizëm që në praktikë ngjan me një sistem spiunimi, ku çdo rast i dyshuar nepotizmi mund të raportohet dhe të përfundojë në dosje verifikimi.
Formularët e mbledhur pritet të ndahen në disa kategori, nga rastet pa rrezik, te ato problematike dhe me rrezik të lartë. Vendimi final, megjithatë, nuk do të merret nga të rinjtë në komision, por nga drejtuesit e vjetër të partisë, me kryeministrin në krye. E gjithë kjo procedurë ka nisur me urdhër të drejtpërdrejtë nga mbledhja e grupit parlamentar, duke anashkaluar strukturat formale të partisë.
Rama e ka paralajmëruar këtë aksion që më herët, duke e cilësuar nepotizmin si një fenomen gërryes dhe poshtërues për shtetin. Ai ka deklaruar se kush e ka parë mandatin si mjet për të sistemuar familjarët në punë shteti, nuk do të jetë më i mirëpritur në grupin parlamentar dhe se në raste ekstreme, deputetët duhet të zgjedhin mes mandatit dhe familjarëve të punësuar.
Megjithatë, skeptikët e shohin këtë nismë si një përpjekje të vonuar dhe kontradiktore, që vjen pas më shumë se një dekade pushtet, kur nepotizmi është kthyer në normë dhe jo përjashtim. Pyetja që mbetet është nëse kjo “fshesë” do të shkojë realisht deri në fund, apo do të mbetet një tjetër aksion simbolik, i kontrolluar nga po ata që e ndërtuan sistemin.
