Partia Demokratike i ka kërkuar mazhorancës që gjatë ditës së sotme të thërrasë mbledhjen e Këshillit për Imunitetet dhe Mandatet, me qëllim hapjen e procedurës për heqjen e imunitetit parlamentar të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas kërkesës së paraqitur nga SPAK për arrestimin e saj.
Kjo është hera e katërt që anëtarët e opozitës kërkojnë shqyrtimin e çështjes në këtë këshill. Mbledhja e fundit, e zhvilluar më 19 dhjetor 2025, zgjati rreth pesë orë dhe u mbyll pa një vendim konkret për caktimin e një date të re, për shkak të mosdakordësive mes palëve.
Gjatë asaj mbledhjeje, avokati mbrojtës i Ballukut kërkoi një afat prej tre javësh për t’u njohur me materialin voluminoz të paraqitur nga SPAK. Kjo kërkesë u mbështet nga shumica parlamentare, me argumentin se mbrojtjes duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme për përgatitje.
Po ashtu, mazhoranca argumentoi se duhet pritur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimimin e kryeministrit për konfliktin e kompetencave me Prokurorinë e Posaçme. Për këtë arsye, u vendos që shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të bëhet pas datës 22 janar.
Opozita e kundërshton këtë vendim, duke e cilësuar si zvarritje të qëllimshme të procesit dhe kërkon që Këshilli të mblidhet menjëherë për t’i hapur rrugë procedurave ligjore.
