Marshimi i protestuesve në Tiranë vijoi mbrëmjen e së shtunës me brohoritje dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë manifestimit u dëgjuan slogane si “Rama jepe dorëheqjen”, “Mjaft më! Populli kërkon dinjitet, drejtësi dhe ndryshim”, si edhe thirrje që kërkonin hetimin e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion.
Në protestë morën pjesë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora. Pjesëmarrësit shprehën gjithashtu mbështetje për personat e ndaluar gjatë protestës së mëparshme para Kuvendit, duke kërkuar lirimin e tyre.
Gjatë marshimit u dëgjuan edhe slogane drejtuar figurave të ndryshme politike, përfshirë thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa protestuesit deklaruan se do të vijojnë tubimet deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Organizatorët theksuan se protesta synon ndryshime politike dhe kërkuan që institucionet e drejtësisë të hetojnë çdo rast të dyshuar korrupsioni, pavarësisht përkatësisë politike.
