Kjo verë ka ngjallur shumë diskutime rreth pyetjes “Ka apo nuk ka turistë në Shqipëri”? Turizmi është bërë një temë qendrore në vend, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, ku sektori pritet të përdoret si kalë beteje nga ana e mazhorancës.
Qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, kanë investuar shumë në nxitjen dhe promovimin e vendit për turistët e huaj. Projekte të dekadës së fundit si “Rilindja Urbane“, apo “Akademia e 100 fshatrave“, që ridizenjojnë sheshet e qyteteve dhe rikonceptojnë fshatin drejt agro-turizmit, janë pjesë e strategjive për ta transformuar vendin në një destinacion turistik deri në vitin 2030. Ndërsa, shumëçka shkruhet në dokumenta, të ashtuquajtura PPP, dhe Investime strategjike ndër më të fundit, Aeroporti i Vlorës, Autostrada Thumanë-Kashar, dhe rishtazi tuneli i Llogarasë, apo “fshatra turistikë” përgjatë Jonit, janë investime që po orientojnë sektorin drejt turizmit të modelit elitar, i dizenjuar të tërheqë klientë me fuqi blerëse më të lartë, në një zonë apo kohë të caktuar.
Shqipëria, është ndër të fundit vende të Europës që e bëri pjesë të ekonomisë këtë sektor. Turizmi në Europë u zhvillua menjëherë pas luftës së Dytë botërore edhe si një formë e re shkëmbimi mes kulturash pas genocidit të ndodhur në zemër të kontinentit. Vitet 50-70, njihen edhe si vitet e revolucionit kulturor, gjatë të cilit vendet e Europës perëndimore prodhuan muzikën, artin, arkitekturën dhe kulturën politike mbi të cilat ndërtuan themelet e Bashkimit Europian. Promovimi i Shqipërisë, në një destinacion turistik, nisi menjëherë pas rënies së komunizmit, me ngritjen e Republikës së re post-diktatoriale. Ligji i parë për Turizmin, në vitin 1993, synonte të nxiste investime në modelin e “fshatrave turistikë” dhe hoteleve, kryesisht përgjatë Adriatikut dhe në zona me potencial turistik. Më tej, sektori u nxit me fushata mediatike për atraksionet turistike të Shqipërisë, në 2007 dhe 2015, shoqëruar me ligje të reja (2007; 2018) për të ardhur tek strategjitë e ndërtuara për turizmin, 2015-2019, dhe 2019-2023.

2020-ta, ishte viti më i keq për sektorin e turizmit në të gjitha vendet, si pasojë e mbylljes globale nga pandemia e COVID-19. Por, ndryshe nga shumë shtete të tjera të Europës, vendi ynë u hap më herët për turistët ndërkombëtarë. Duke shfrytëzuar kështu mbylljen e vendeve të tjera, zbutja e masave mbrojtëse dhe kontrolluese, i dha shtytjen sektorit, për ta nxjerrë nga rënia prej -59% nga 2019, në plus 114% brenda 2021. Operacion ky, që nga njëra anë avantazhoi vendin në thithjen e lëvizjeve të para turistike post pandemike, por nga ana tjetër rriti në maksimum rrezikun e ekspozimit ndaj virusit, për popullatën vendase (të prekur mbi 75% e popullsisë). Ndërsa në Europë turizmi pa një rënie prej 74%, në Shqipëria, referuar INSTAT, rënia ishte vetëm 58.5%.
