Delcy Rodriguez është betuar zyrtarisht si presidente e Venezuelës, pas kapjes së Nicolas Maduros gjatë një operacioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Ajo u paraqit para Asamblesë Kombëtare për ceremoninë e betimit, në një seancë të mbajtur në kryeqytetin Caracas.
Gjatë fjalës së saj, Rodriguez dënoi ashpër operacionin ushtarak që çoi në largimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, duke e cilësuar atë si një “rrëmbim”. Ajo u zotua se do të punojë për ruajtjen e stabilitetit politik, social dhe ekonomik të vendit.
“Betohem se do të punoj pa u lodhur për të garantuar paqen, qetësinë shpirtërore, ekonomike dhe sociale të popullit tonë”, deklaroi ajo gjatë betimit.
Rodriguez kishte ushtruar funksionin e presidentes në detyrë që nga momenti i operacionit, i cili u shoqërua me shpërthime dhe lëvizje ushtarake në Caracas, në bazat ushtarake përreth dhe në disa zona civile.
Ceremonia u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe u ndoq nga figura të larta të pushtetit, përfshirë drejtues të Asamblesë Kombëtare, ministra dhe përfaqësues të ushtrisë. Autoritetet venezueliane kanë deklaruar se prioritet i qeverisë së re do të jetë ruajtja e rendit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore në një periudhë të tensionuar për vendin.
