Gazetari Basir Çollaku deklaroi në një studio televizive se protestat e fundit nuk përfaqësojnë vetëm zemërimin e Partisë Demokratike, por edhe pakënaqësinë e një pjese të gjerë të qytetarëve shqiptarë.
Sipas tij, në mungesë të sindikatave dhe një shoqërie civile aktive, protestat në Shqipëri organizohen kryesisht nga partitë politike. Çollaku theksoi se shoqëria duhet të ketë një rol më të fortë opozitar për të kontrolluar qeverisjen dhe për të adresuar problemet reale të vendit.
Ai shtoi se shumë qytetarë ndihen të zhgënjyer dhe, në mungesë të alternativave, zgjedhin emigrimin si rrugëdalje.
Duke komentuar qëllimin e protestave të PD-së, Çollaku u shpreh se fokusi ka qenë edhe në komunikimin ndërkombëtar, duke synuar të theksojë problematikat që, sipas tij, lidhen me drejtësinë, ekonominë dhe luftën kundër krimit. Ai vlerësoi se raporti mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë është përshkallëzuar, ndërsa theksoi se qëndrimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë është bërë më kritik krahasuar me vitet e mëparshme.
