Ministri i Jashtëm gjerman, Johannes Vandeful, deklaroi se Groenlanda i përket Danimarkës dhe se Aleanca e NATO-s mund të zhvillojë bisedime për forcimin e mbrojtjes së saj, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.
Deklarata vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti kërcënimet për të marrë kontrollin e Groenlandës, një zhvillim që ka alarmuar aleatët e NATO-s dhe ka fituar më shumë peshë pas veprimit amerikan ndaj Venezuelës dhe rrëzimit të udhëheqësit Nicolás Maduro.
Trump ka shprehur në mënyrë të përsëritur dëshirën për të marrë kontrollin e Groenlandës, një ambicie që e artikuloi për herë të parë në vitin 2019 gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Duke folur me gazetarët në Lituani, Vandeful u shpreh se Gjermania ka pikëpyetje lidhur me mënyrën e largimit të Maduros dhe theksoi se e ardhmja e Venezuelës duhet të vendoset nga vetë populli venezuelian përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ministri gjerman nënvizoi gjithashtu se Groenlanda është pjesë e Danimarkës dhe, për rrjedhojë, mbulohet nga garancia e sigurisë së NATO-s.
“Meqenëse Danimarka është anëtare e NATO-s, edhe Groenlanda, në parim, është nën kujdesin e Aleancës për mbrojtjen e saj. Nëse ka kërkesa për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes, kjo duhet të diskutohet brenda NATO-s”, u shpreh Vandeful.
