Çështja penale ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, do të shqyrtohet nga gjyqtari federal 92-vjeçar Alvin K. Hellerstein, një nga figurat më me përvojë dhe më të njohura të sistemit gjyqësor amerikan.
Hellerstein u emërua gjyqtar federal në vitin 1998 nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ndërsa që prej vitit 2011 ushtron funksionin e gjyqtarit të lartë (senior judge) në Gjykatën Federale të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, një nga juridiksionet më të rëndësishme në SHBA.
Gjatë karrierës së tij, ai ka trajtuar disa nga çështjet më të ndjeshme dhe me jehonë publike, përfshirë procese të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, si dhe dosje të shumta që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe sigurinë kombëtare. Verën e kaluar, përpara tij u shpall fajtor ish-shefi i inteligjencës venezueliane Hugo Carvajal Barrios, i akuzuar për narko-terrorizëm dhe trafik ndërkombëtar droge.
Emri i gjyqtarit Hellerstein është përmendur shpesh edhe në çështje që lidhen me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Ai refuzoi kërkesën e Trump për transferimin në gjykatë federale të çështjes së njohur si “hush money”, duke argumentuar se pagesat e kryera përmes Michael Cohen ndaj Stormy Daniels nuk përbënin veprime zyrtare të presidencës.
Me këtë profil dhe eksperiencë të gjatë në dosje komplekse, Hellerstein pritet të luajë një rol kyç në procesin gjyqësor ndaj presidentit venezuelian, një çështje që ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare.
