Trump hap një tjetër front diplomatik, Groenlanda në qendër të debatit

Data

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rihapur debatin mbi Groenlandën, duke deklaruar se ishulli është i domosdoshëm për sigurinë kombëtare amerikane. Deklarata vjen pas reagimeve të forta nga Danimarka dhe autoritetet groenlandeze, të cilat kanë hedhur poshtë çdo ide për aneksim.

“Na duhet Groenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare”, u shpreh Trump para gazetarëve, duke përsëritur një qëndrim që e ka mbajtur edhe më herët gjatë karrierës së tij politike. Ai argumenton se pozicioni strategjik i ishullit në Arktik dhe pasuritë e tij minerare janë thelbësore për interesat amerikane.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, reagoi ashpër duke e cilësuar idenë si “fantazi” dhe duke kërkuar ndalimin e presionit politik. “Ne jemi të hapur për dialog dhe bashkëpunim, por vetëm me respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe përmes kanaleve të duhura”, deklaroi ai.

Edhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë të drejtë të aneksojnë territor danez. Ajo rikujtoi se Danimarka dhe Groenlanda janë pjesë e NATO-s dhe se ekziston tashmë një marrëveshje mbrojtjeje që i garanton SHBA-së akses ushtarak në ishull, pa cenuar sovranitetin.

Tensionet u shtuan edhe më tej pas një postimi në rrjetet sociale nga Katie Miller, bashkëshortja e një këshilltari të lartë të Trump, ku Groenlanda shfaqej me ngjyrat e flamurit amerikan dhe mbishkrimin “Së shpejti”. Ky veprim shkaktoi reagime diplomatike dhe një përgjigje të prerë nga ambasadori danez në SHBA, i cili kërkoi respekt për integritetin territorial të Danimarkës.

Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që prej vitit 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten kompetencë e Danimarkës. Edhe pse një pjesë e popullsisë mbështet pavarësinë në të ardhmen, sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese kundërshton bashkimin me Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat e fundit të Trump kanë ringjallur shqetësime ndërkombëtare, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë, duke shtuar frikën se Uashingtoni mund të përdorë presion politik apo edhe forcë për të avancuar interesat e tij strategjike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related