‘Çmendet’ moti/ Bora shkakton probleme në Bosnjë e Hercegovinë, raportohet një viktimë

Data

Reshjet e dendura të borës që kanë përfshirë Bosnjë e Hercegovinën gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në të gjithë vendin, ndërsa është shënuar edhe një ngjarje tragjike me pasojë humbjen e jetës.

Në lagjen Gërbavica të Sarajevës, një pishë mbi dhjetë metra e lartë është rrëzuar si pasojë e peshës së borës dhe ka zënë një grua, e cila ndërroi jetë më vonë në Klinikën e Mjekësisë Urgjente për shkak të plagëve të rënda.

Bora ka paralizuar qarkullimin rrugor, duke shkaktuar dhjetëra aksidente, si dhe ka sjellë ndërprerje dhe reduktime të transportit publik. Qytetarët kanë raportuar për rrugë dhe trotuare të papastruara, çka i ka detyruar shumë prej tyre të lëvizin në karrexhatë, duke rrezikuar sigurinë.

Ndërmarrja komunale “Rad” bëri me dije se në terren janë angazhuar 33 automjete të shërbimit dimëror dhe rreth 80 punëtorë, por pavarësisht kësaj, shumë rrugë dytësore dhe hyrje pallatesh mbeten ende të mbuluara nga bora.

Edhe pse reshjet kanë pushuar gjatë natës në Sarajevë, akulli i formuar në orët e mëngjesit ka krijuar vështirësi të reja. Arteriet kryesore janë pastruar, ndërsa rrugët dytësore vijojnë të jenë problematike.

Instituti Federal Hidrometeorologjik paralajmëron se moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe në ditët në vijim, me reshje shiu dhe bore, si dhe rrezik për rritje të niveleve të lumenjve dhe përmbytje lokale.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, respektim të rregullave të qarkullimit dhe përdorim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore, ndërsa situata vijon të monitorohet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related