Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas burimeve zyrtare, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Y. E., banues në Fier, i cili gjatë momentit të ndërhyrjes ka tentuar të largohet për t’i shpëtuar policisë, por është neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë.
Operacioni policor, i koduar “New Start”, është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, pas rreth një muaji hetimesh me metoda speciale.
Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që drejtonte i riu, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 81 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte destinuar për shitje në qytetin e Fierit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu:
- 1 automjet
- 3 aparate celularë
- Sasia e lëndës narkotike
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të 26-vjeçarit.
